VAR Kosova sjell videon e luftës që përcaktoi fëmijërinë e sulmuesit boshnjak, Edin Dzeko.

Vendi ku lindi Edin Dzeko, lagjja Otaka në Sarajevë, në vitin 1995, ishte e rrënuar dhe mbizotëronte hiri.

Asnjë ndërtesë nuk u kursye nga bombat e ushtrisë serbe.

“Unë qaja shumë kur isha fëmijë, sepse gjithmonë kishte rrezik të vriteshim”, kishte deklaruar Dzeko.

Ishte vetëm 6-vjeç kur shpërtheu lufta më 1992, në të cilën humbën jetën rreth 100,000 njerëz. Edhe pse luftë, ai luante futboll me shokët e tij. Një pasdite, nëna e tij nuk e lejoi të luante më shokë. Ky veprim ia shpëtoi jetën.

“Nëna ime ma shpëtoi jetën.  Ajo ma ndaloi të shkoja të luaja me shokët dhe vetëm pak minuta më vonë, një granatë ra në fushën ku luanim çdo ditë dhe shumë nga shokët e mi u vranë”, ka thënë Dzeko.

Lufta nuk ia mbyti pasionin për futbollin. Edin Dzeko ka bërë një karrierë mjaft të mirë si sulmues në Evropë, duke luajtur në tri liga të forta.

 Kampion i Gjermanisë me Wolfsburgun, ku kishte shënuar 66 gola.Titullin kampion e mori edhe në Angli me Manchester Cityn, ku shënoi 55 gola. Aktualisht është kapiten i Romës.