Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje vendimtare drejt kualifikimit për në Kampionatin Evropian.

Ndeshjet e mbetura do të zhvillohen në muajt tetor dhe nëntor, ka konfirmuar UEFA.

Kosova është vetëm dy ndeshje larg kualifikimit për Kampionatin Evropian, pasi që është në gjysmëfinale të play-offs kualifikues për këtë garë.

Kosova ishte e supozuar të luante kundër Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinale të play-offs më 26 mars, ndërsa nëse e fitonte këtë përballje në Shkup do të kualifikohej në finalen e madhe të 31 marsit, kur do të luante si mysafire ose kundër Gjeorgjisë, ose kundër Bjellorusisë.

Ndeshja gjysmëfinale tani do të zhvillohet në pushimin e ndeshjeve të ekipeve kombëtare që nis më 8 tetor, ndërsa finalja në afatin që nis më 12 nëntor. Në këto dy afate ishte planifikuar të zhvilloheshin nga dy ndeshje të Ligës së Kombeve, ndërsa tani do të shtohen edhe këto të play-offs.

Datat specifike dhe ora nuk janë konfirmuar ende. Euro 2020 është shtyrë për vitin 2021, për shkak të përhapjes së koronavirusit.