Shteti i Zvicrës tashmë ka filluar hetimet ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

Deutsche Welle Sport raporton se një prokuror special tashmë ka filluar hetimet për Infantinon.

“Prokurori special tashmë ka filluar procedurat penale si pjesë e një hetimi që ka pikënisje një takim midis kreut të FIFA-s dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës, Michael Lauber”, Deutsche Welle Sport.

Prokurori Lauber tashmë kishte ofruar dorëheqjen, pasi një gjykatë zbuloi se derisa zyra e Lauber ishte duke hetuar korrupsionin në FIFA, prokurori kishte provuar të fshehte një takim me kreun e FIFA-s dhe kishte gënjyer mbikëqyrësit e tij.

Lauber dhe Infantino thuhet se patën takime të fshehta tri herë në vitet 2016 dhe 2017.

Në muajin prill, FIFA mohoi akuzat duke i quajtur si mashtrim dhe dashakeqe.

Infantino, mori drejtimin e organizatës më të madhe të futbollit në botë në vitin 2016, pas largimit të paraardhësit të tij zviceran, Sepp Blatter.

Blatter kishte dhënë dorëheqje pas akuzave për korrupsion lidhur me pagesat që i janë bërë presidentit të atëhershëm të UEFA-s, Michel Platini./VAR Kosova/