Ylli i Juventusit Cristiano Ronaldo, i ka quajtur “të këndshme” rekordet e tij, por sipas tij, rëndësi më të madhe kishte fitorja 2:1 ndaj Lazios.

Reprezentuesi portugez shënoi dy gola në fitoren e djeshme ndaj Lazios në Serie A.

“E dinim se do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj një skuadër që është duke e pasur një edicion fenomenal, por ne e dinim se kemi mundësi të fitonim. Ishim në shtëpi. Ne jemi të lumtur”, u shpreh Ronaldo.

Dygolëshi i Ronaldos ishte historik për shkak se ai u bë futbollisti i parë që shënon të paktën 50 gola në Serie A, La Ligë dhe Premier League.

Ai gjithashtu u bë futbollisti më i shpejtë i kësaj epoke që shënon 50 gola për 61 ndeshje në Serie A, duke kaluar rekordin e Andriy Shevchenkos, i cili e arriti këtë numër me 68 ndeshje te Milani.

“Rekordet janë gjithnjë të rëndësishme, por me rëndësi është që skuadra fitoi. Ne jemi skuadër fenomenale dhe e dëshmuam tani”, deklaroi Ronaldo.