Lewis Hamilton ka vendosur kohën më të shpejtë në xhirot kualifikuese të Çmimit të Madh të Hungarisë dhe do të niset i pari në garën e nesërme, ndërsa me rezultatin e arritur shënoi edhe dy rekorde të tjera.

Kështu piloti britanik, kampion në fuqi i botës arriti “pole position”-in numër 90 në karrierë, por njëkohësisht edhe të tretin radhazi në pistën e Hungaroringut, ndërsa në krah të tij do të niset shoku i skuadrës te Mercedes, Valteri Bottas.

Pas dy makinave Mercedes do të nisen dy makinat Racing Point, të drejtuara nga Lance Stroll dhe Sergio Perez, të cilët vijojnë të dhurojnë performanca mjaft të mirë, ndërsa në vendin e pestë dhe të gjashtë do të nisen dy makinat Ferrari, konkretisht me Vettel dhe Leclerc.

Skuadra italiane ka marrë rezultate mjaft të mira në pistën e Hungarisë dhe ka nisur të shpresojë, ndërsa të dy pilotët do të provojnë befasinë nesër gjatë garës, me shpresën për të marrë suksesin e parë sezonal.