Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, është përshëndetur me klubin Hellas Verona, ku bëri paraqitje fantastike në Serie A.

Përmes një postimi në Facebook, të shoqëruar me një video të momenteve të tij më të mira te Verona, ai i ka thënë lamtumirë klubit dhe tifozëve.

“Një vit i mrekullueshëm; një vit i paharrueshëm, i pari për mua në Itali, ku u rrita shumë si futbollist dhe si burrë. Po e lë Hellas Veronën, por gjithmonë do t’i jem mirënjohës shoqërisë dhe trajnerit Juric, bashkëlojtarëve dhe të mi dhe tifozëve të mrekullueshëm verdhekaltër, të cilët më përkrahën dhe me deshën që nga dita e parë deri në ditën e fundit, madje edhe kur e dinin se e ardhmja ime ishte larg Veronës. Një fjalë të fundit: FALEMINDERIT!”, ka shkruar Rrahmani.

Ai nënshkroi marrëveshje me Napolin në janar, pasi gjiganti i Serie A i pagoi 9.5 milionë euro për ta blerë atë nga Verona.

Amir Rrahmani i bëri 36 paraqitje në Serie A dhe një në Kupën e Italisë për Veronën, duke kontribuar me një asist.