Klubi i Prishtinës ka lëshuar në orët e vona një postim në faqen zyrtare të Facebook ku ka treguar për largimin e pesë futbollistëve.

Të larguar nga klubi janë: Armend Thaqi, Ahmed Januzi, Diar Miftararaj, Ahmet Haliti dhe Meriton Korenica.

Një pjesë e postimit është paksa i çuditshëm pasi që klubi ju kërkon falje nëse lojtarët janë ndjerë të lënë pas doresh. Një mesazh i tillë lë të kuptohet se ndarja nuk ka qenë e natyrshme siç do të ndodhte në çdo klub profesional, ose trajtimi nga klubi nuk ka qenë i duhuri për lojtarët.

Më poshtë është postimi i plotë pa ndërhyrje i klubit.

Pesë futbollistë të larguar

FC Prishtina iu falënderon dhe iu uron sukses

Prishtinë, 26 gusht 2020 – Megjithëse i tërë klubi është i preokupuar në përgatitjen e lëndës për rastin “Gjibraltar” për në “CAS”, kanë ndodhur pesë ndryshime nga skuadra.

Janë larguar, Armend Thaqi, Ahmed Januzi, Diar Miftararaj, Ahmet Haliti dhe Meriton Korenica.

Skuadra i falënderon për kontributin e dhënë, sidomos në një edicion kaq të vështirë për klubin, sidomos pas rastit të ngjarjeve në Gjibraltar.

Klubi iu kërkon të falur nëse jeni ndjerë të lënë pas dore, iu falënderon për ditët e kaluara në FC Prishtina dhe iu uron sukses në vazhdim të karrierës.

FC Prishtina së shpejti do të njoftojë për futbollistët që do t’i bashkohen ekipit bardhekaltër.