Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB), ka miratuar disa rregulla të reja në futboll.

Sipas këtyre rregullave, futbollistët që kolliten qëllimisht drejt lojtarëve të tjerë ose gjyqtarëve mund të ndëshkohen me karton të kuq.

Një veprim i tillë konsiderohet si “veprim ose gjuhë ofenduese apo abuzive”.

Ky rregull dhe rregulla të tjera, janë miratuar si pasojë e përhapjes së koronavirusit.

 “Njëjtë si me të gjitha veprimet e tjera, gjyqtari duhet ta vlerësojë natyrën e vërtetë edhe të këtij veprimi. Nëse kollitja ishte qartësisht aksidentale, atëherë gjyqtari nuk duhet të ndërmarrë ndonjë veprim, ose nëse kollitja ndodhi gjatë kohës kur lojtarët kanë distancë të madhe mes vete. Megjithatë, nëse lojtarët ishin mjaftueshëm afër sa të konsiderohet shkelje e rregullës, atëherë gjyqtari mund të ndërmarrë veprim”, thuhet në njoftim.

Por, gjyqtarët nuk duhet t’i ndëshkojnë lojtarët për kollitje të zakontë, por nëse është e qartë se ai veprim u bë me qëllim të keq ndaj dikujt tjetër.