Në një ndeshje të zbehtë në kryeqytet, Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbje nga Greqia.
Në ndeshjen e zhvilluar në “Fadil Vokrri”, djelmoshat e Bernard Challandesit janë mposhtur me rezultat 1:2 nga helenët.
Në këtë përballje të vlefshme për Ligën e Kombeve, skuadra “Dardane” bëri një paraqitje të dobët pas shumë mungesave në formacionin bazë.
Pas ndeshjes, ka ardhur edhe reagimi i trajnerit të Kosovës, Bernard Challandes, i cili nuk është shprehur aspak i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij.
“Shumë gabime kemi pasur. Në pjesën e parë kemi bërë shumë gabime, kemi pranuar dy gola të lehtë dhe kemi humbur shumë topa. Nuk mendoj se është problem i sistemit të lojës, por më shumë me mënyrën se si kemi luajtur dhe gabimet që kemi bërë. Nuk ishim në ditë perfektë, por nuk duhet të harrojmë që shumë lojtarë kanë munguar”, ka deklaruar fillimisht Challandes, derisa ka folur edhe për mënyrën e festimit të Bernard Berishës.
“Kemi luajtur dy ndeshje dhe forma e lojtarëve nuk është më e mira. Kjo mund të shpjegojë disa gabime teknike që janë bërë. Bernard Berisha ka bërë punë të mirë si zëvendësues. Unë pres që edhe zëvendësuesit të bëjnë punë të mirë. Mënyra e festës së tij ishte mesazh për mua, nuk pranoj këtë mënyrë të festimit. Unë kam folur me të. I thash që më tregove se je këtu, je pjesë e ekipit, por unë jam trajneri. Nuk mund të pranoj këtë formë festimi”, ka thënë trajneri zviceran.
Challandes mendon se nuk është turp të humbasësh ndaj Greqisë, ndonëse nuk është ndarë i kënaqur me paraqitjen.
“Në pjesën e parë nuk ishim shumë agresiv. Patëm situata një kundër një, por nuk ishim sa duhet agresiv në aspektin pozitiv. Nuk kem treguar shpirt luftarak në fushë, ndoshta janë tifozët që na japin këtë. Mos harroni që Greqia nuk është ekip i keq”, potencoi ai.
“Në momentin që kemi humbur topin e kemi pasur kundërshtarin afër. Nuk jam i kënaqur, nuk jam i kënaqur me vetveten, por nuk është turp të humbasësh kundër Greqisë. Nuk mund të mendojmë që është ditë e mirë për ne. 12 lojtarë nuk janë me ekipin, kemi lojtarë që kërkojnë skuadra. Ekipi ka luftuar. Njerëzit mund të zhgënjehen, por nuk është kohë normale dhe ne kemi probleme. E kemi pranuar këtë situatë, por nuk jam i frikësuar për ndeshjen tjetër. I kemi pesë javë dhe duhet të përgatitemi për ndeshjen me Maqedoninë. Kemi dy portierë të mirë dhe kemi bërë ndryshime edhe në pozitat tjera. Kam menduar se është koha të shoh edhe portierin tjetër”, ka përfunduar Challandes.