Ka nisur ceremonia e marrëveshjes së shumëpritur. Sot do të hedhet e zeza mbi të bardhën. Sot do të jetësohet ëndrra e shumë shqiptarëve.

Pas një pune të gjatë dhe intensive, në Tiranë (ora 19:00), do të nënshkruhet marrëveshja për formimin e Ligës Unike mes Kosovës dhe Shqipërisë, shkruan Federata e Basketbollit të Kosovës.

Një ligë me tetë skuadra. Katër më të mirat nga të dy vendet. Ëndrra e kamotshme bëhet realitet për formimin e një lige mes dy vendeve shqiptare.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federata e Basketbollit e Shqipërisë (FSHB) kanë punuar një kohë të gjatë për këtë projekt madhor, që sot bëhet realitet.

Marrëveshjen do ta nënshkruajnë, Presidenti i FSHB-së, Z. Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Z. Arben Fetahu, në praninë e Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Znj. Vlora Dumoshi, Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.

Në këtë ceremoni po merr pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.