Shuhen shpresat e Manchester Cityt, Interit e PSG-së. Mbreti Lionel Messi nuk largohet nga froni.

Ndonëse bëri bujë njoftimi i tij për largim nga Barcelona, gjashtë herë fituesi i Topit të Artë, do të vazhdojë të jetë kapiten i skuadrës.

Në një intervistë për Goal.com ai ka folur për dramën e krijuar në të gjithë botën, transmeton VAR Kosova.

“Kur i tregova dëshirën për t’u larguar gruas dhe fëmijëve të mi, ishte një dramë e vërtetë”, ka thënë Messi.

“Të gjithë filluan të qanin. Fëmijët nuk dëshironin të largoheshin nga Barcelona, nuk donin të ndërronin shkollën. Djali im, familja ime, ata janë rritur këtu. Nuk kishte asgjë të keqe ideja për t’u larguar. Më duhej, edhe klubit i duhej dhe ishte në të mirën e të gjithëve”, ka thënë Messi.

Ai ka folur edhe për vendimin e ri që të mos largohet nga Barcelona.

“Tash do të vazhdoj të luaj në Barcelonë sepse presidenti më tha se mënyra e vetme për t’u larguar ishte pagimi i klauzolës në vlerë 700 milionë euro dhe kjo ëshë e pamundur”, ka thënë Messi.

“Unë kurrë nuk do të shkoja në gjyq kundër klubit të zemrës sime, prandaj do të qëndroj te Barcelona”. /VAR Kosova/