Përfaqësuesja U21 e Kosovës ka pësuar humbje turpëruese nga të rinjtë e Anglisë në ndeshjen e djeshme (e premte) në kuadër të ciklit eliminator për “Euro 2021”.

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, “Dardanët” e drejtuar nga Rafet Prekazi u mposhtën nga Anglia U21 me rezultat të thellë, 0:6.

Pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara, Kosova U21 ka tubuar vetëm gjashtë pikë dhe renditet në vendin e pestë, nëntë pikë më pak se lideri, Anglia U21 që ka tubuar 15 pikë.

Në pesë ndeshjet e fundit, Kosova U21 i ka pësuar katër humbje, duke u mposhtur dy herë nga Anglia U21, Austria U21 dhe Shqipëria U21.

Ndërkaq, djelmoshat e Prekazit e kanë regjistruar vetëm një fitore – kundër Turqisë U21 në Prishtinë më 11 qershor të vitit të ardhshëm.

Pas ndeshjes, përzgjedhësi Prekazi nuk pranoi të dilte në konferencën për shtyp pas dështimit të madh të skuadrës së tij.

Mbetet të shihet nëse Federata e Futbollit të Kosovës do t’ia vazhdojë ende postin e trajnerit te grupmosha U21 pas rezultateve të dobëta në ndeshjet e fundit. /zëri.info/