Superylli i Përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica është shumë afër transferimit në Aston Villa. Klubi i madh anglez është tejet i interesuar për shërbimet e Rashicës dhe tashmë ka filluar negociatat me Werder Bremen për të arritur një marrëveshje, VAR Kosova.

Oferta e parë e ish kampionit anglez besohet të jetë 18 milionë euro, të cilën e ka konfirmuar edhe Clemens Fritz.

Shefi i skautëve të Werderit, Clemens Fritz e ka konfirmuar interesimin zyrtar të klubit nga Premierliga për Rashicën.

“Aston Villa ka vënë kontakte me Bremenin, këtë mund t’ua konfirmoj. Për momentin nuk ka diçka konkrete. Ka shumë kërkesa për Milotin. Jemi në bisedime intensive dhe të afërta me menaxhmentin e tij”, ka thënë zyrtari i klubit gjerman.

Interesimin e Villës për Rashicën e ka konfirmuar edhe gazetari i njohur italian, Fabrizio Romano, i cili dje në rrjetin social Twitter shkroi se Villa dhe Bremen janë në bisedime për Rashicën.

Për Rashicën flitet se interesim kanë shprehur edhe Leeds United në Angli, Napoli në Itali dhe Leipzigu në Gjermani.

Ylli 24 vjeçar ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022.

Ai i ka zhvilluar 74 ndeshje në total me ekipin gjerman, duke i realizuar 24 gola dhe i ka dhuruar 14 asistime. Sezonin e fundit e mbylli me 11 gola e 8 asistime. /VAR Kosova/