Mbrojtësi i Marseille, Alvaro Gonzalez, i ka reaguar yllit të PSG-së, Neymarit përmes rrjetit social Twitter, shkruan VAR Kosova.
Gonzalez e ka mbrojtur veten, duke i mohuar akuzat për racizëm dhe duke i bërë thirrje Neymarit të mësohet ta pranojë humbjen në fushë përmes një reagimi në Twitter.
“Nuk ka vend për racizëm. Kam karrierë të pastër me shumë bashkëlojtarë dhe miq ditë për ditë. Nganjëherë duhet të mësosh si të humbasësh dhe ta pranosh disfatën në fushë. Tri pikë të mëdha sot, Forca I’OM, faleminderit familje”, shkroi Gonzalez.
Paris Saint-Germain humbi 1:0 kundër Marseille, por ndeshja përfundoi me dramë të madhe, duke u përjashtur pesë futbollistë me kartonë të kuq dhe përleshje në mes të futbollistëve.
Neymari ishte i fundit që u përzë nga fusha për shkak se e qëlloi me shpullë pas qafe Gonzalezin.
Rrugës jashtë fushës, sulmuesi brazilian e akuzoi mbrojtësin spanjoll për racizëm. /VAR Kosova/