Telenovela anglo-gjermane ndërmjet Manchester United dhe Borussia Dortmund ka vazhduar sonte me një episodë të radhës, shkruan VAR Kosova.

Në orët e mbrëmjes Sky Sports Deutchland (Gjermani) dhe ai Sky Sports UK (Britania e madhe) raportuan se Manchester United ka dërguar ofertë zyrtare drejt Dortmundit për shërbimet e Jadon Sanchos në vlerë prej 91 milionë euro, e cila është refuzuar.

Por, këtë e kanë demantuar dy gazetarët më të mirë rreth transferimeve të futbollistëve, Fabrizio Romano dhe David Ornstein. Që të dy nga burimet e tyre, e mohuan se United ka bërë ofertë.

Sipas tyre, kontaktet janë duke vazhduar dhe se situata është e njëjtë si në fillim të gushtit, BVB kërkon 120 milionë euro dhe se United ka marrëveshje me Sanchon tash e dy muaj.

Në rast se deshton marrëveshja, atëherë klubi anglez do të tentojë transferimin e Ousmane Dembelés të Barcelonës, në formë huazimit, ani pse francezi e dëshiron qëndrimin në klubin katalan. Afati kalimtar i transferimeve mbyllet me pesë tetor. /VAR Kosova/