Kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani është paraqitur sot në një konferencë për media, ku ka folur rreth ndeshjes me Moldavinë dhe asaj të nesërmes, pra me Greqinë.
Rrahmani nuk u pajtua me termin “nënvlerësim”, por ai ka thënë se atij dhe bashkëlojtarëve u mungonte pasimi i fundit, teksa fare në fund ftoi që mos ta harrojnë faktin se përballë moldavëve kishin telashe edhe kombëtare të mëdha.
“Ishte një rezultat jo i mirë, por s’mund të them se e kemi nënvlerësuar kundërshtarin. Mendoj se jemi paraqitur mirë, por na mungonte ai pasimi i fundit.
“Mos të harrojmë ama, përballë Moldavisë edhe kombëtaret e mëdha kanë pasur telashe të shënojnë, pasi ata mbrohen tepër”, ka thënë fillimisht Rrahmani.
Ndërkaq, sa i përket ndeshjes me Greqinë, kapiteni shtoi:
“I kemi parë disa ndeshje të kundërshtarit dhe e njohim mirë.
Ne do të kemi shumë mungesa nga ndeshja e kaluar, por në stërvitjen e fundit do të mundohemi ta përgatisim ndeshjen taktikisht, pra sesi t’i kundërvihemi Greqisë”, ka thënë mes tjerash futbollisti i Napolit.