Transferimi i Meriton Korenicës nga Prishtina në Ballkan, bëri bujë të madhe. Korenica pas dy viteve të kaluara me klubin kryeqytetas vendosi të ndërrojë ambient duke u transferuar në skuadrën e drejtuar nga trajneri Ismet Munishi, shkruan VAR Kosova.
Korenica në një prononcim për VAR Kosova deklaroi se projekti i Ballkanit e bindi më shumë përkundër ofertave tjera që kishte.
“Faktori kryesor që iu bashkova Ballkanit ishte presidenti i klubit, Arsim Kabashi, me besimin e tij. Dua t’i falenderoj presidentin, trajnerin Ismet munishin dhe stafin bashkë me futbollistët që më kanë pritë shumë mirë”.
Fantazisti nga Prizreni për dy sezone përfaqësoi klubin e Prishtinës, duke qenë ndër futbollistët kryesorë.
“Kore” nuk ka harruar ish klubin e tij duke iu uruar shumë suksese në sezonin e ri. “Kanë qenë dy vite shumë të mira për mua personalisht në Prishtinë jam rritur ende me shumë si futbollist duke shënuar gola , assistime por futbolli e ka këtë sot je me një ekip nesër në tjetër”.
Mesfushori sulmues, 23 vjeçar, sezonin e kaluar me Prishtinën zhvilloi 25 ndeshje në Superligë duke shënuar nëntë gola.
Korenica fitoi dy herë Kupën e Kosovës me Prishtinën.
Klubi i Ballkanit ishte tejet aktiv në afatin kalimtar duke transferuar portierin Kenan Haxhihamza, sulmuesin Mevlan Zeka, mbrojtësit Bajram Jashanica dhe Armend Thaqin, mesfushorin sulmues nga Skenderbeu Nazmi Gripshi.
Nga “furia portokalli” është larguar Jetmir Topalli në klubin turk Yeni Malatyaspor, ndërsa pritet vetëm zyrtarzimi i transferimeve të Blend Baftiut dhe Arbër Hoxhës, po ashtu në futbollin turk. /VAR Kosova/