Ndeshja që u zhvillua dje ndërmjet Arbërisë e Feronikelit (0:0) hapi javën e katër të Superligës së Kosovës në futboll dhe ishte një paralajmërim se kjo javë do të sjellë ndeshje shumë të forta.
Sot në program janë tri takime tjera e ku vëmendja padyshim është te përballja Llapi – Ballkani që luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Ballkani në tri ndeshja ka dy fitore dhe një barazim, ndërsa Llapi deri tash ka zhvilluar dy ndeshje (me Dritën është shtyrë) dhe ka dy humbje, çka sot assesi nuk guxon të humbas.
Në Mitrovicë pritet një takim i fortë ku takohen rivalët e vjetër Trepça’89 – Prishtina. Skuadra mitrovicase sivjet synim të vetëm e ka mbijetesën, derisa Prishtina ka investuar shumë me objektiv të qartë titullin e kampionit.
Takimi tjetër i ditës së sotme është ai ndërmjet Dritës e Besës. Për Dritën kjo është ndeshja e parë këtë edicion pas angazhimeve që kishte në garat ndërkombëtare. Ndeshja e fundit luhet nesër ku takohen Drenica – Gjilani.
Të gjitha ndeshjet zhvillohet nga ora 15:00.