Para ndeshjes me Maqedoninë e Veriut, Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar seancën e dytë stërvitore.

Kjo stërvitje ishte e fundit në Prishtinë, pasi nesër (e mërkurë) herët djelmoshat udhëtojnë për në Shkup, për t’u përballur të enjten me Maqedoninë e Veriut në Shkup, në kuadër të gjysmëfinales së “play-off”-it për kualifikim në Kampionatin Evropian.

Ndonëse Kosova shkon me shumë mungesa në këtë ndeshje, mbrojtësi Fidan Aliti, u shpreh optimist.

Ai ka folur në një video që e ka postuar Federata e Futbollit e Kosovës.

“Çdo njëri nga ne e di sa e rëndësishme është kjo lojë. Do të jetë një ndeshje me shumë emocione”, tha Aliti.

“Si Maqedonia e Veriut ashtu edhe ne do të japim maksimumin pasi rëndësia është e madhe. Në këto momente ne nuk duhet të flasim për mungesat, nuk është gjë e mirë kjo tash. E dimë që çdo mungesë është humbje për ne, por këta lojtarë që janë këtu duhet mbështetur pasi kanë kualitet dhe e kanë treguar vetën andaj janë këtu. Ne duhet të punojmë shumë me këta që janë këtu pasi të gjithë e japin maksimumin”.

“Na duhet mbështetje nga shtëpia jonë, vetëm bashkë jemi më të fortë”, tha Fidan Aliti.