Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Lirim Kastrati ka qenë vetëm rezervist në fitoren e Dinamo Zagrebit në udhëtim ndaj Sibenik me rezultat 0:2, në kuadër të kampionatit kroat, shkruan Insporti.com.

Kastrati nuk zhvilloi asnjë sekondë në këtë fitore, pas paraqitjes së dobët ndaj Feynordit në kuadër të Ligës së Evropës.

Mediet kroate e kanë kritikuar gjatë kësaj jave sulmuesin shqiptar nga Kosova, për paraqitjen e tij të dobët ndaj skuadrës holandeze.

Duket se trajneri i klubit të madh kroat, Zoran Mamic i ka lexuar kritikat për reprezentuesin e Kosovës, duke e “ndëshkuar” me mos aktivizim në këtë fitore.

Sulmuesi, 21 vjeçar, deri më tani ka zhvilluar pesë ndeshje në kampionatin kroat, katër prej tyre si titullar dhe një si zëvendësues.

Vetëm një herë nuk është ftuar për ndeshje kampionati në këtë sezon.

Kastrati ka shënuar vetëm një gol në kampionat për klubin më të trofeshëm në Kroaci.