Komisioni Disiplinor në Francë vendosi të mos dënojë as mbrojtësin Gonzalez, i akuzuar nga Neymar se e kishte fyer me tone raciste gjatë PSG-Marseille të 13 shtatorit, por as brazilianin, që nga ana e tij u akuzua nga spanjolli se e kishte fyer me tone homofobe.

Mungojnë imazhet për të provuar gjithçka dhe në fund dalin të gjithë të pastër. Të dy rrezikonin një skualifikim deri në 10 javë kampionat.

Shfryhet kështu një çështje që ngrihej në rend të ditës prej më shumë se dy javësh në Francë dhe jo vetëm, pasi Neymar u ankua ndaj gjyqtarit dhe pastaj në rrjetet sociale se ishte fyer me fjalë raciste gjatë sfidës që përfundoi 0-1 me Marseillen.

Akuza që u hodhën poshtë nga Gonzalez dhe që nuk mund të provoheshin nga asnjë video filmike, pavarësisht kamerës që ishte fiksuar te braziliani, madje edhe një analize të ekspertëve të leximit të buzëve në Brazil, Spanjë dhe Francë (që të gjithë kishin konfirmuar ofendimet).

Të dy klubet ndërkohë refuzuan të bëjnë një denoncim formalisht në Ligë dhe për hetuesin e ngarkuar që të sqaronte ngjarjen nuk ekzistonin provat e nevojshme. Për këto arsye, Komisioni Disiplinor doli me një deklaratë ku shkruan se nuk ka elementë të mjaftueshëm për të provuar faktet dhe si rrjedhojë vendosi të mos ndërmarrë asnjë dënim.