Drita e ka mposhtur Gjilanin me rezultat 3:2 në kryendeshjen e javës së 15-të në Superligën e Kosovës.

Bardhekaltërit bën një përmbysje sensacionale në fundin e ndeshjes, teksa ishin në disavantazh prej 2:1.

Skuadra e Gentjan Mezanit kaloi në epërsi qysh në minutën e 7-të, kur Dario Nikac e shfrytëzoi mjaft mirë harkimin e Gerhard Prognit, anipse Drita sulmoi pa ndalë në minutat e para.

Megjithatë, nuk vonoi dhe bardhekaltërit gjetën golin e barazimit përmes Hamdi Namanit (27’).

Kur mendohej se gjysma e parë do të përfundonte baras, Drita pësoi një tjetër gol nga një harkim. Ishte përsëri sulmuesi Nikaç, që e çoi ekipin e tij në dhomat e zhveshjes me epërsi, asistim të Prognit.

Derisa Gjilani ndihej komod, kampionia aktuale tregoi forcën e vet dhe bëri një përmbysje spektakulare në dy minutat e fundit.

Fillimisht, Astrit Fazliu (89′) barazoi rezultatin dhe një minutë më vonë zëvendësuesi Betim Haxhimusa (90′) i dha fitoren skuadrës së tij.

Gjilani tash ka 23 pikë në vendin e  katërt, me një lojë më shumë se Drita, e cila ka 30 pikë në vendin e dytë. Lider mbetet Ballkani me 32 pikë.