Pas humbjes nga Sllovenia në minutat e fundit, Kosova tash duhet të shikojë përpara.
Dardanët do të luajnë ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve kundër Moldavisë.
Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, futbollistët në orët e mëngjesit arritën në Prishtinë, teksa në orët e mbrëmjes lojtarët që nuk luajtën dhe ata që ishin më pak të angazhuar në ndeshjen e zhvilluar në Lubjanë mbajtën stërvitje në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ndërkohë, pjesa tjetër e lojtarëve zhvilluan seancë rigjeneruese në hotel.
Në ndeshjen kundër Moldavisë, Kosova nuk do të ketë në dispozicion Bernard Berishën, i cili është i pezulluar për shkak të kartonëve dhe tashmë ka udhëtuar drejt Rusisë për t’u bashkuar me klubin, por gëzon fakti se në seancën e sotme ka stërvitur Bersant Celina, i cili mungoi në ndeshjen kundër sllovenëve për shkak të shqetësimeve me muskujt e këmbës dhe pritet që të jetë i gatshëm për lojë.
Tani e gjithë vëmendja është tek dueli me moldavët, ku synohet që me rezultat pozitiv të sigurohet mbetja në Ligën C të Ligës së Kombeve.