Edi Rama në librin e Sinisha Mihajlovic vijon të jetë temë dite në Itali, por jo vetëm. 

I titulluar “Ndeshja e jetës”, ky libër ngërthen karrierën e ish-futbollistit serb të disa skuadrave, tashmë trajner i Bologna. Veç të tjerash, ai rrëfen edhe betejën e vështirë me leuçeminë, ditët dramatike në luftën për jetën në spital, ku mori mijëra mesazhe mbështetjeje. Ndër ta, sikurse zbulon Sinisha në librin e vet, paska qenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili i ka dërguar mesazh mbështetës e admirues njeriut që deklaronte se ”Kosova është Serbi”.

Përmes presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, kreu i ekzekutivit shqiptar i ka dërguar këtë mesazh, që zbulohet sot nga “Panorama Sport”:

“I dashur mister, jam Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ish-lojtar i Kombëtares së basketbollit shqiptar dhe një admirues i vjetër i Sampdorias së Vujadin Boshkovit. E mora numrin tuaj të telefonit nëpërmjet mikut tonë të përbashkët, Aleksandar Vuçiç. Folëm për ju dje në mbrëmje këtu në Novi Sad. Kam dashur gjithnjë t’ju shprehja admirimin tim për egërsinë me të cilën po përballoni armikun tuaj më të frikshëm të jetës, por edhe për t’ju thënë se pasi keni mundur shumë portierë direkt nga goditjet e dënimit, ju me siguri jeni i zoti të mundni edhe hijen që është vendosur mes jush dhe portës tuaj të së ardhmes. E di shumë mirë rrezikun që mesazhe të tilla solidariteti mund të bëhen të mërzitshme për një kokëfortë si puna juaj, por ju siguroj se ky i imi nuk është një mesazh i kësaj natyre. Përkundrazi, është shprehje e një admirimi antik.”

Kryeministri i Shqipërisë në ato momente e ka ‘harruar’ faktin që trajneri i Bolognas e kishte quajtur Kosovën, ‘shtetin mik të Ramës’, pjesë të Serbisë.

“Arkan-in e kam pasur mik. Nuk mund të flas keq për të pasi për mua dhe popullin tim ka qenë një hero. Në jetë kam edhe miq mafiozë, por nuk mund të më etiketoni si të tillë, pasi gjithkush ka personalitetin e tij”.

“Kosova është Serbi. Nuk mund të quhet e pavarur pasi aty jetojnë serbë dhe këta të fundit nuk mund t’i dëbosh nga shtëpitë e tyre”, deklaronte Mihajlovic vetëm pak vite më parë (2015).

Mihajlovic njihet dhe për problemet e shumta me drejtuesin sportiv të Lazios, Igli Taren. Në periudhën e luftës kur aktivizohej me Lazio, Mihajlovic ka pasur dhe një përplasje fizike me Taren rreth çështjes së luftës dhe pavarësisë së Kosovës.