Përfaqësuesja e Kosovës do të kthehet në Prishtinë kokë ulur nga kryeqyteti slloven, Ljublana,  përkundër një paraqitjes solide kundër Kombëtares së Sllovenisë. Ndeshja përfundoi me fitore të Sllovenisë 2:1.

Pas ndeshjes kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani për mikrofonin e Digitalb deklaroi se penalltia nuk ishte reale dhe ka shkatërruar skuadrën.

“Unë e pashë që ishte dora e ngjitur, nuk është reale. Besoj që kjo ishte një prej ndeshjeve më taktike që e kemi luajtuar, ka qenë një ndeshje me shumë koncentrim, të gjithë lojtarët kanë dhuruar maksimumin, nëse vazhdojmë kështu do të arrijmë fitore. Normalisht që është ndeshja e fundit dhe besoj se do të fitojmë, po të luajmë si sot fitorja nuk është e diskutueshme dhe të mbyllim ciklin siç duhet. Unë sot e cilësoj si fitore sepse kemi treguar shpirtin luftarak dhe për mua kjo është fitore, jo vetëm Moldavia edhe në kualifikueset tjera kundërshtarët do ta kenë shumë të vështirë me ne”, deklaroi Rrahmani.

Me këtë humbje, Kosova mbetet në vendin e tretë në grupin C3 me vetëm dy pikë të tubuara pas pesë ndeshjeve, kurse Sllovenia në vendin e parë me 13 sosh.

Ndeshjen e fundit në grup, Kosova e luan në Prishtinë ndaj Moldavisë, kurse Sllovenia përballet me Greqinë.