Forma e dobët e Përfaqësueses së Kosovës në vitin e fundit ka bërë që diskutohet e ardhmja e përzgjedhësit, Bernard Challandes dhe stafit të tij. Mos kualifikimi në Kampionatin Evropian, duke u mposhtur nga Maqedonia e Veriut në gjysmëfinale ka vënë në pikëpyetje kredibilitetin e Challandes për të vazhduar në krye të Kosovës.
Trajneri i njohur Arsim Thaqi, mendon se trajneri shqiptar Besnik Hasi është me më shumë kualitete se sa Challandes dhe do të duhej t’i jepet rasti në të ardhmen, por se duhet të analizohet mirë se kush do të jetë zëvendësuesi i përzgjedhësit zviceran.
Përveç Hasit, ai thotë se edhe Ardian Kozniku ka personalitetin dhe përvojën e duhur për ta marrë drejtimin e Kosovës.
“Sa i përket zgjedhjes së trajnerëve mendoj se nuk do të thotë se duhet gjithqysh të jetë shqiptar, por nëse analizojmë nivelin e trajnerëve shqiptarë që kemi sot, mendoj se kemi trajnerë shqiptarë më të mire se ky aktual (Challandes), vlen me përmend Besnik Hasin që punon si trajner ne Arabinë Saudite që mendoj shume pak përmendet edhe në media e që është trajner me shume kualitete dhe përvojë, vlen me përmend po ashtu rastin e trajnerit të Kroacisë, Daliq para se të emërohej përzgjedhës ka punuar në Arabi, por shikoni çfarë rezultate ka treguar me Kroacinë. Kemi edhe trajner tjerë shqiptarë që besoj kanë edhe pervojë si lojtarë edhe si trajner, siç është Ardian Kozniku e shume emra të tjerë shqiptarë”, ka deklaruar Thaqi për Insportin.
Përfaqësuesja e Kosovës nuk di për fitore në dhjetë ndeshjet e fundit, duke pësuar tetë humbje dhe arritur dy barazime. Tashmë, ka kaluar një vit prej fitores së fundit të futbollistëve të Challandes.
“Dardanët” kishin rastin historik për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian, përmes gjysmëfinales së Ligës së Kombeve, por pësuan humbje nga shteti fqinj Maqedonia e Veriut me rezultat 2:1.
Sonte me fillim të orës 20:45, Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve, kundër Moldavisë. Në rast të fitores apo barazimit do ta sigurojë qëndrimin edhe për një sezon të radhes qëndrimin në Ligën C, ndërsa nëse mposhten do të rikthehen aty ku edhe e nisën, në Ligën D.