Arbëria ka arritur ta ndal skuadrën kampione të Kosovës, Drita në ndeshjen që u zhvillua sot në kuadër të xhiros së 18- të të Superligës së Kosovës.

Drita ishte vendëse në këtë ndeshje që u zhvillua në stadiumin e qytetit të Gjilanit, por nuk arriti më shumë se një pikë me Arbërinë.

Golin për Dritën e shënoi sulmuesi Kastriot Rexha në minutën e 36-të nga penalltia për rezultatin 1:0, me të cilin përfundoi edhe pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Arbëria ishte më e mirë duke e merituar një pikë nga ndeshja e sotme.

Edhe pse goli i barazimit erdhi nga një autogol i mesfushorit të Dritës, Hamdi Namani në minutën e 75-të.

Krejt në fund, skuadra kampione kishte mundësi ta fitonte ndeshjen por sulmuesi Festim Alidema nuk u tregua i saktë para portës.

Me këtë pikë, Drita renditet në pozitën e parë me 40 pikë me një ndeshje më pak. Drita ndeshjen e mbetur do ta zhvillojë me Prishtinën të dielën në “Fadil Vokrri”.

Ndërsa, skuadra nga Lipjani renditet në pozitën e gjashtë me 21 pikë.