Mediumi i madh spanjoll “El Pais” ka raportuar se ka mësuar se Këshilli i Lartë i Spajës për Sporte se Federata e Futbollit të Spanjës është duke tentuar FIFA-n që Kosova t’i luajë ndeshjet pa flamurin e saj.
Dje (e hënë) është hedhur shorti për ciklin eliminator të Kupës së Botës, fazë e cila nis nga marsi i vitit të ardhshëm dhe zgjat një vit.
Kosova është renditur në grupin B së bashku me Spanjën, Greqinë dhe Gjeorgjinë, tri shtetet të cilat nuk e njohin pavarësinë e vendit tonë.
“Zeri.info” e ka kontaktuar sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihun në lidhje me këtë çështje.
Ai ka thënë se pavarësisht kësaj, Përfaqësuesja kosovare do t’i zhvillojë ndeshjet nën simbolet e saj.
“Së pari ju e dini që para çdo kampionateve, vendet që kanë kontekste të ndryshme, kërkojnë të mos luajnë mes vete, si për shembull që është rasti i Serbisë ndaj nesh”, ka deklaruar fillimisht Eroll Salihu për “Zeri.info”, duke vazhduar:
“Spanja nuk e ka bërë një kërkesë të tillë, por ndaj tyre do të luajmë me flamurin tonë. Spanja e ka të drejtën të bëjë kërkesë që ndeshja si vendase të luhet në terren neutral, por ndaj tyre, ne si vendas, do t’i mirëpresim në Prishtinë”.
Më tej, Salihu, thotë se trija kundërshtarët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, derisa për Spanjën thotë se nuk na njeh për arsye banale.
“Grupi është i mirë, tri shtetet nuk na njohin, por siç e kemi parë në Ligën e Kombeve, Greqia nuk na ka bërë telashe. Spanjollët janë kundërshtarët më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, por vetëm për arsye banale”, përfundoi të martën për “Zeri.info” Eroll Salihu.