Viti 2020 ishte fantastik për Milanin dhe një gjë e tillë nuk ndodhte prej vitesh. Rikthimi i Zlatan Ibrahimovic në Milanello në muajin janar solli “ringjalljen” e kuqezinjve, të cilët filluan të luanin bukur dhe merrnin rezultate pozitive, si dhe u rikthyen të jenë një rival i fortë për të gjithë.
Humbja e fundit në Serie A ka ndodhur në muajin mars, teksa sezoni i ri i kampionatit italian ka nisur nën dominimin e ekipit të Stefano Piolit, që kryeson prej javës së parë. Trajneri pret një sulmues dhe një qendërmbrojtës nga merkato e janarit dhe drejtuesit po punojnë në këtë aspekt.
Gjithsesi, nga skuadra do të ketë edhe largime. Milannews.it raporton se Leo Duarte dhe Mateo Musacchio janë me valixhe gati. Qendërmbrojtësi 24-vjeçar numëron vetëm 3 aktivizime këtë sezon: një në kampionat dhe dy në Europa League.
Drejtuesit e “Djallit” preferojnë huazimin e brazilianit, ndërsa ndryshon situata me Musacchion. 30-vjeçari argjentinas nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Piolit dhe te Milani po presin ofertën e duhur për ta shitur lojtarin me origjinë arbëreshe.