Disa ditë pas shkarkimit të Ismet Munishit nga posti i shefit të shtabit teknik, Ballkani e ka gjetur trajnerin e ri. Klubi nga Suhareka ka vendosur që pozitën e trajnerit t’ia besojë trajnerit nga Shqipëria, Bledi Shkëmbi.

Shkëmbi e njeh futbollin kosovar, pasi ai më parë e kishte drejtuar Lirinë e Prizrenit.

Por, sa ka qenë deri më tani si trajner i suksesshëm Bledi Shkëmbi?

Deri më tani në karrierën e tij, 41-vjeçari ka drejtuar vetëm dy skuadra.

Më 16 qershor 2017, Shkëmbi e nisi karrierën e tij si trajner te Liria e Prizrenit.

Te prizrenasit la shije të mirë duke treguar futboll të bukur.

Por, aventura te klubi prizrenas nuk i zgjati shumë pasi që më 2 mars të vitit 2018 dha dorëheqej pas problemeve të brendshme në klub.

Më 3 qershor të vitit 2018, Shkëmbi u emërua trajner i Teutës së Durrësit për edicionin 2018/19, por ai nuk kishte aty ndonjë sukses për ta përmendur.

Ballkani ka vendosur t’ia besojë postin e trajnerit Shkëmbit, i cili nuk ka ndonjë titull të fituar për dallim nga Munishi, i cili e ka një titull kampion në Kosovë dhe një Superkupë me klubin FC Vushtrria në vitin 2013 që aso kohe njihej si Llamkos Kosova.

Ndërkaq, në karrierën si futbollist, Shkëmbi ishte mjaft i suksesshëm duke zhvilluar karrierë te Skënderbeu, Teuta, Partizani, Besa, si dhe te klubet e huaja si Ethinkosi, Rijeka, Ingradi dhe Kryvbasi.

Shkëmbi ka qenë gjithashtu pjesë edhe e Kombëtares së Shqipërisë.