Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani dhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj kanë rezultuar pozitivë përsëri me COVID-19.

Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e klubit të dy lojtarëve, Napoli.

Klubi italian ka njoftuar se dy lojtarët shqiptarë do të vazhdojnë qëndrimin në izolim.

“Të gjithë lojtarët kanë rezultuar negativë në testet për Covid 19, me përjashtim të Amir Rrahmanit dhe Elseid Hysajt, të cilët janë ripozitivuar dhe do të shkojnë menjëherë në izolim në shtëpi, duke pritur për testimet e reja”, thuhet në njoftimin e Napolit.

Të dy lojtarët e Napolit ishin pozitivë që prej ndeshjeve të muajit nëntor me ekipet përfaqësuese, ndërsa në testet e javës së kaluar rezultuan negativë.