Ishte shënjestër e Barcelonës në merkaton e kaluar, por problemet financiare të katalanasve e lanë në Milano, ku duket se do të qëndrojë për një kohë të gjatë. Lautaro Martinez është shumë pranë rinovimit me Interin.

Kontrata aktuale përfundon në verën e vitit 2023 me një pagë të ulët në krahasim me paraqitjet e tij. Interi dëshiron të largojë të gjithë klubet pas portës, gati për të përfituar dhe nga Italia raportohet se Martinez dhe Interi kanë arritur akordin për rinovimin.

Kontrata e re do të skadojë në verën e vitit 2024, me një pagë ndjeshëm më të lartë dhe më shumë bonuse. E veçanta është se në kontratë do të qëndrojë edhe klauzola prej 111 milionë eurosh, por do të shtohet një klauzolë tjetër e dedikuar për rivalët e përjetshëm të Juventusit.

Nëse “Zonja” dëshiron blerjen e “El Toro” do të duhet të paguajë 150 milionë euro. Agjentët e Lautaros janë filmuar duke zbarkuar në Itali dhe për të konfirmuar marrëveshjen e re mungon vetëm firma mbi kontratë.