Robert Lewandowski është prej vitesh një nga sulmuesit më të fortë dhe efikas në planet, edhe pse vëmendjen e marrin gjithmonë emra si Leo Messi, Cristiano Ronaldo apo Zlatan Ibrahimovic.
Bomberi polak shkëlqeu me Bayern Munchen në vitin 2020. Me bavarezët fitoi plot 5 trofe, teksa në aspektin personal ia doli të rrëmbente çmimin e “FIFA Best 2020”.
Edhe sezonin e ri e ka nisur me atë që di të bëjë më mirë se çdo gjë, shënimin e golave. Deri tani numëron 26 gola (23 në kampionat dhe 3 në Champions League).
Shifra të jashtëzakonshme duke llogaritur që ndodhemi akoma në janar, por 32-vjeçari nuk ka ndërmend të ndalet, diçka që e konfirmon për kanalin zyrtar të Bayernit.
“Çdo vit dëgjoj njerëzit të thonë që jam Lewandowski më i mirë i gjithë karrierës. Mosha nuk ka rëndësi, pasi e di që mund të përmirësohem dhe të luaj edhe më mirë.
Ndihem shumë mirë, nuk e ndjej aspak peshën e viteve që kam mbi supe. Çdo sezon tentoj të jem edhe më mirë se në të kaluarin“, deklaroi Lewandowski.