Trajneri Simone Inzaghi pritet t’ia japë përsëri rastin sulmuesit kosovar në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Atalantas

Vedat Muriqi mund ta ketë një tjetër rast sonte tek Lazio.

Sulmuesi kosovar mund të jetë titullar në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Italisë kundër Atalantas.

Trajneri Simone Inzaghi po mendon të bëjë rotacion në ekip duke i pasur parasysh angazhimet e shpeshta në gara të ndryshme.

Andaj, mediat italiane raportojnë se nuk përjashtohet mundësia që 26 vjeçari të luajë nga minuta e parë sonte ndaj ekipit nga Bergamo.

Muriqi është ende në kërkim të golit të parë në fanellën e Lazios dhe do të mundohet ta bëjë këtë pikërisht sonte, në ndeshjen që do të fillojë në orën 17:45.

Ish-futbollisti i Rizesporit megjithatë ishte protagonist në fitoren e Lazios ndaj Parmës kur goditja e tij me kokë përfundoi në shtyllë dhe topin e kthyer në rrjetë e dërgoi portieri kundërshtar, Simone Colombi.