Mbrojtësi shqiptar i Arsenalit, Shkodran Mustafi ka bërë një postim lamtumirës për mikun e tij, Mesut Ozil, i cili dje ka kompletuar transferimin e tij në klubin e fëmijërisë Fenerbahce. Mustafi në rrjetin social Twitter ka shkruar se ai (Ozil) është personi më i mirë që ka ndarë dhomën e zhveshjes në karrierën e tij, shkruan VAR Kosova.

Mustafi po ashtu ka shkruar se futbollistët e Arsenalit nuk e kanë asistuar në kohën kur është dashur më së shumti.

“Vëlla, ti ke qenë personi më jo vetjak në fushë dhe jashtë saj, që unë kam ndarë dhomën e zhveshjes ndonjëherë. Ti gjithmonë do të mbahesh mend si “Mbreti i asistimeve”. Për fat të keq ne si skuadër nuk kemi mundur të asistojmë ty kur të jemi dashur më së shumti. Të gjitha të mirat”, ka shkruar Mustafi.

Mustafi në Arsenal është transferuar në vitin 2016, tre vite më vonë se Ozil dhe gjatë këtyre viteve kanë krijuar një shoqëri tejet të fortë.

Ylli shqiptar ishte pjesë e Kombëtares së Gjermanisë në Kupën e Botës në Brazil (2014) të cilën e fituan së bashku me Ozilin.

Ozil të dielën mbrëma është larguar nga Londra për në qytetin e Stambollit.

Gjatë ditëve në vijim ai do të prezantohet si futbollist i Fenerbahces, klub që ka ëndërruar të luajë gjithmonë.

Ozili këtë sezon nuk bërë asnjë paraqite për Arsenalin, pasi nuk është përfshirë në skuadër për shkak të mos pranimit të uljes së pagës.

Ylli turko-gjerman kishte refuzuar uljen e pagës gjatë pandemisë, ani pse të tjerët kishin pranuar. Përkundër pranimit të uljes së pagave nga futbollistët, Arsenali përsëri ka larguar punëtor nga klubi, duke e irrituar edhe më shumë Ozilin dhe konfirmuar se ka pasur të drejtë që të mos pranojë uljen e pagës.

Mesfushori kreativ 31 vjeçar në klubin londinez ishte transferuar në vitin 2013 nga Real Madridi për shumën e 47 milionë eurove.

Me Arsenalin ka fituar FA Cup dy herë, duke zhvilluar 184 ndeshje, shënuar 33 gola e asistuar 58. /VAR Kosova/