Nën moderimin e Hygerta Sakos dhe i kthyer tashmë në një traditë nga Rtshsport, katër specialistë të Superiores si: Shkëlqim Muça, Sulejman Starova, Gerd Haxhiu dhe Mirel Josa kanë zgjedhur 11-të lojtarët më të spikatur, por edhe trajnerit më të mirë të Vitit 2020.
Kanë votuar edhe trajnerë të Superiores dhe kapitenët e ekipeve të elitës të cilët kanë bërë zgjedhjet e tyre.
Bien në sy emra të spikatur, ndërsa janë lojtarë të skuadrave me pretendime në vendin tonë…Që nga Ilion Lika, më veterani prej tyre në portë, e deri te një nga më të rinjtë, Xhixha i Laçit në sulm. Ja çfarë kanë thënë protagonistët….
Formacioni i vitit 2020 (4-3-3)
Lika Doka R.Hoxha Arapi Trashi Batha Kallaku Limaj Xhixha Nuabueze Torasa
Ilion Lika (Tirana)
“Vitit 2020 mu duk një vit i habitshëm. Të prekur nga pandemia thuajse tërë vitin, por që ndikoi edhe në botën e sportit. Fillimi ishte i vështirë për Tiranën, kishte shumë skeptikë, por fjalët ranë poshtë. Sporti nuk llogaritet me moshë, por me rezultate se çfarë jep në fushë.Në fillim s’kisha më besim, po rrezikonim “Play-Out”. Por derbi ktheu çdo gjë në favorin tonë. Kemi luajtur me shpirt në atë ndeshje, pas derbit ndryshuan shumë gjëra për mirë. Jam shumë i kënaqur që shleva besimin e klubit dhe dolëm kampionë”.
“Çdo titull ka kënaqësinë e vet, u kënaqa me Dinamon isha shumë i ri, por edhe ky titull me Tiranën kishte një kënaqësi shumë të madhe, sepse nuk kisha më moshë për të fituar titull, nuk do luaj më sa kam luajtur”, – tha Lika.
Lorenc Trashi (Partizani-Kuvajt)
Nga Kuvajti, Lorenc Trashi ka folur në “skype”, duke pohuar: “Pavarësisht ecurisë me Partizanin, ku nuk arritëm atë që donim, unë doja që të shkonim lartë, për mua ishte vit pozitiv, u bëra pjesë e Kombëtares shqiptare. Ekipet e Superiores duhet që të kenë në mentalitet, s’duhet që të ndryshojnë stafin dhe lojtarët kur realizojnë synimet që kanë. Kështu ndodhi me ne fituam trofe dhe ndryshoi stafi. Ky ishte sipas meje problem më i madh. Luajta gjashtë vite, arrita atë çka doja. Pengu më i madh është që nuk luajta dhe të transferohesh në një kampionat të njohur në Europë. Mora ftesë nga Kombëtarja, luajta titullar dhe shënova gola. Nuk e kisha ëndërruar diçka të atillë. Më mungon Partizani dhe Superiorja, por edhe shokët e tifozët. Pa ata futbolli s’ka kuptim”, – tha Trashi.
Albi Doka (Tirana)
“Vitit 2020 ka qenë shumë i rëndësishëm, fituam titullin, aq më tepër në 100 vjetorin e klubit. Por, fakti që luajta me Kombëtaren titullar është arritje. Doja që të shënoja më shumë gola. Një nga momentet e mira ka qemë fitorja 5-1 ndaj Partiznait. Një ndeshje që doja ta riluaja është ndeshja derbi, Tirana-Partizani, ka qenë derbi i fundit për mua. Kur më erdhi ftesa nga Kombëtarja nuk e prisja, ishte emocion shumë i veçantë, e kam pasur ëndërr që të luaja me Kombëtaren. Kur trajneri Edi Reja do zbulonte formacionin pash emrin tim dhe ka qenë emocion i madh. Do jap më të mirën time, është nder të luash dhe mendoj se kam justifikuar besimin. Aventura në Kraoci është hap shumë i rëndësishëm për mua. Vitin që lam pas mora gjithçka, ndërsa në 2020, dua që të tranferohem në një kampionat akoma më të fortë”, – tha Albi Doka.
Rustem Hoxha (Teuta)
“Rikthimi në shtëpi përkoi edhe me synimin që ne kishim, duhej të fitonim trofe. Ishte një nisje shumë e mirë për ne, fituam Kupën e Shqipërisë. Golin që shënova në gjysmëfinale ishte goli që e shijova shumë, ishte nga më të rëndësishmit në karrierën time dhe e parandieva. Goli ndaj Tiranës ishte një nga më të bukurit. Me Renato Arapin merem vesh shumë mirë, ka experiencë, ka fituar shumë trofe dhe më ka ndihmuar edhe mua që të fitoj eksperiencë prej tij.”
Renato Arapi (Teuta)
“Vitit 2020 ka qenë i rëndësishëm, por edhe me arritje dhe realizime. Vinim me traumat e tërmetit. Nisëm një fazë përgatitore në janar, ku pësova edhe një dëmtim për fat të keq dhe më la gjatë jashtë. Kur u riktheva u dëmtova sërish dhe rikthimi ishte edhe më i vështirë. Gjeta forca dhe u riktheva më i fortë. Një nga momentet më të bukura ka qenë fiitmi i Kupës dhe kualifikimi në Kupat e Europës, kundër Beitar, ishte hera e parë kur Teuta shkonte në turin e tretë. Peng më mbeti ndeshja ndaj Granadës, përveç cilësisë së spanjollve ne duhet të guxonim më shumë. Kur vlerësohesh në këtë moshë është kënaqësi e madhe, ëndërra ime e madhe është titulli kampion në qytetit tim të linjes, shpresoj që ta ngreme sepse kemi një ekip shumë të mirë”.
Vesel Limaj (Kukësi)
“Kukësi është një klub i madh është mësuar me trofe. Kam mësuar shumë nga Besar Musolli, nga eksperienca e tij. Ndeshja me Partizanin në “Air Albania” është shumë e veçantë për mua. Goli më i bukur është ai kundër Vllaznisë, ka qenë një ndeshje shumë e rëndësishme, vinim në atë ndeshje nga dy humbje dhe një barazim. Është një ëndërr që të luaj me Kombëtaren kuqezi dhe shpresoj që një ditë të realizohet”.
Idriz Batha (Tirana)
“Ekipi deri javën e tretë ishte mirë, pastaj u futëm në ngërç. Kishte momente që nuk po menaxhonim dot presionin. Shumë nga ne lojtarët po dyshonim edhe te vetja. Por, fatmirësisht kthesa erdhi dhe gjithçka u arrit. Pasta fitores në derbi me Partizanin e kuptuam që ne duhet të mernim kampionatin. Janë shumë momente pozitive dhe goli me Kukësin, ku kampionati mori tjetër rrjedhë. Ndeshja në Laç ku fituam një betejë të rëndësishme, në një fushë të ngarkuar me ujë dhe baltë. Por, edhe goli ndaj Partiznait që shënova me kokë. Kisha presion mbi veten time për të kaluarën time që kisha me Partizanin dhe kritikat nga tifozët e Tiranës kur firmosa duke qenë se vija nga Partizani. Ishte sezon fantasik, vetes do t’i vija një notë 9”.
Sherif Kallaku (Teuta)
“Jam shumë i lumtur me sezonin e kaluar. Kam pasur arritje, kam treguar nivel shumë të mirë, por edhe për golat që kam realizuar, të cilët janë vlerësuar shumë. Goli më special, ka qenë ai me U-21 e Shqipërisë, kurse në kampionat goli ndaj Kukësit në të 95-tën minutë kur barazuam 2-2. Por edhe goli ndaj Flamurtarin kur fituam 1-0 në “Elbasan Arnea”. Ftesa në Kombëtare ka qenë vlerësim, ka qenë ëndërra ime e madhe, por edhe debutimi ndjesi shumë e madhe. Në ato minuta që kam luajtur, jam munduar që të bëj maksimumin dhe ta shpërblej atë fanelë. Kur isha në Superiore, ëndrra ishte që të bëja hap të madh dhe të luaja në Europë. Më mungon, por dëshirat dhe synimët që kam në jetë janë akoma më të mëdha. Në të adhmen, në një moshë më të madhe shpresoj që të rikthehem përsëri”.
Agustin Torasa (Tiranë)
“Jam shumë i kënaqur në aspektin personal. Ndeshja më emocionuese që fituam derbin me rezultatin 2-1. Një ndeshke speciale, jo se fituam ndaj Partizanit, por ruaj respekt shumë të madh për presidentin, klubin dhe ambientin. Ndeshja me Kukësin shumë e bukur, sepse ne deri në të 75-tën minutë po humbisnim. Momenti që preka Ligën e Kampionëve shumë empocion për mua. Goli ishte jo dhe aq i bukur, por shënimi ishte emocionues në Champions. Jam i lumtur që jam këtu dhe shpresoj që të jem edhe për shumë kohë”.
Kirian Nuabueze (Laçi)
“Më pëlqejnë që të shënoj, por sidomos ndaj Vllaznisë në Laç, kur driblova disa lojtarë dhe shënova. Të shënosh gola në Europë është realisht shumë e bukur. Mund të them që kam bërë diçka të mirë, kam lënë shenjë në Kupat e Europës. Pandemia na lodhi, na sfiliti, por kemi një skuadër shumë të mirë dhe do të rikthehemi në formën më të mirë. Jemi në një unison, që nga presidenti e deri te lojtarët. Unë jam gati për çdo ofertë që do të vijë në adresën time, por edhe klubi natyrisht që vendos.”
Redon Xhixha (Laçi)
“Ka qenë një sezon i mirë, kam shënuar 12 gola, por edhe kam humbur raste. Goli që mbaj mend ndaj Teutës në Laç. Kisha humbur gjyshin dhe e bëra krenar me atë gol që shënova në Laç. Besoj se skuadra do të jetë shumë e fortë, janë bërë shumë afrime që duan kohë. Ka moment ngërçi, por që shpresoj që të na dal loja dhe të kemi ecuri pozitive. Kontrata ime me Laçn mbaron në fund të këtij sezoni dhe synimi im është që të luaj në një kampionat europian, për të testuar edhe veten sa të aftë jemi që të luajmë. Çdo kohë do e synoj një vend në Kombëtare është nder dhe krenari. Privilegj që të jem te më të mirët e viti dhe ja dedikoj këtë sukses familjes sime dhe shokëve që më kanë mbështetur vazhdimisht”.