Chelsea dhe Manchester United ndahen baras pa gola
Chelsea dhe Manchester United janë ndarë baras në një ndeshje pa gola të dielën, duke e bërë edhe më të hapur luftën për top katërshe në Premierligë.
Derisa barazimi 0:0 në Stamford Bridge e bën të hapur luftën për kualifikim në Ligën e Kampionëve, po ashtu i shkon përshtati liderit Manchester City që tani ka një epërsi prej 12 pikëve në rrugë për ta rikthyer titullin në Etihad.
Të kaltrit e kishin nën kontroll lojën për pjesën më të madhe të takimit, duke krijuar më shumë se vizitorët United por pa qenë në gjendje ta thyejnë akullin.
Ky ishte barazimi i dytë radhazi për Chelsean pas një serie të fitoreve radhazi që prej se Thomas Tuchel i mori në dorën frenat e klubit.
Chelsea vijon të jetë i pamposhtur nën udhëheqjen e trajnerit gjerman edhe pas 10 ndeshjeve.
Për Unitedin, ndërkohë, ky ishte barazimi i tretë në pesë ndeshjet e fundit.
Unitedi e mban pozitën e dytë me 50 pikë, 12 më pak se lideri City.
Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer ndiqet nga Leicester City me 49 pikë, West Hami 45, Chelsea 44 dhe Evertoni dhe Liverpooli me nga 40.
Kjo e fundit ndeshjen e kësaj jave e zhvillon sonte kundër skuadrës së fundit në tabelë, Sheffield Utd.