Bayern Munich ka shënuar fitore në finalen e Kupës së Botës për klube ndaj Tigres me rezultat 1-0.
Bavarezët vinin në këtë ndeshje pas fitores ndaj Al Ahly (2-0), ndërsa meksikanët e Tigresin në gjysmëfinale kishin mposhtur Palmeirasin (1-0).
Ndeshja nisi më mirë për Bayernin që kishte raste më të pastër për shënim.
I pari që rrezikoi ishte Joshua Kimmich që arriti të shënojë në minutën e 18-të, por pas disa minutash dhe rishikimeve në VAR, goli u anulua.
Pas tij në minutën e 34-të, Leroy Sane kishte rast të mirë, por shtylla ndali tentimin e tij.
Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë.
Me të filluar pjesa e dytë, ishte Serge Gnabry që rrezikoi me një goditje të fortë, por topi shkoi mbi shtyllë.
Goli vinte rrotull, pasi Bayern Munich sulmonte me të gjitha forcat.
Rrjeta u tund në minutën e 59-të, kur Benjamin Pavard shënoi nga afër për 1-0.
Edhe ky gol u desh të shikohet në VAR, por doli të jetë i rregullt.
Bayern Munich kishte edhe dy raste tjera me Corentin Tolisso dhe Douglas Costa, por rezultati nuk ndryshoi deri në fund.
Bayern Munich me këtë fitore kompleton të gjithë trofetë e mundshëm këtë sezon.