Fitore jashtë fushe për Arbërinë dhe Drenicën në Superligën e Kosovës. Skuadra nga Lipjani triumfoi 0-3 në Pejë përballë Besës vendase. Braziliani Marclei dhe Kreshnik Bahtiri gjetën golin në pjesën e parë, teksa Almir Kryeziu vulosi suksesin me “tris” të ekipit të tij.
Fitorja e sotme e ka ngjitur Arbërinë në vend të gjashtë me 25 pikë, ndërsa Besa vijon të renditet në vend të fundit me vetëm 7 pikë të grumbulluara në 21 javë kampionat. Drenica rikthehet te tre pikët pas plot nëntë javëve.
Kuqezinjtë mposhtën 1-3 Feronikelin në Drenas, një sfidë derbi. Kreshnik Uka (dygolësh) dhe Erlis Frashëri ishin autorët e golave për ekipin udhëtues, ndërsa Feronikelit, që luajti me dhjetë lojtarë (Bojku ndëshkua me të kuq në 45′) nuk i shërbeu rrjeta e Marko Simonovskit.
Fitore tepër e rëndësishme për Drenicën, që po lufton për të mbijetuar në elitën e futbollit dardan. Vendi i parafundit dhe 23 pikë në renditje, teksa Feronikeli numëron një pikë më shumë dhe ndodhet në garë për mbijetesën.