Monza duket në rrugën e mbarë për t’u ngjitur në elitën e futbollit italian, ndërsa administratori i deleguar Adriano Galliani ka nisur të mendojë që tani për të përforcuar skuadrën për një përfaqësim sa më dinjitoz në Serinë A.

Kështu pas emrave si Kevin Prince Boateng e Mario Balotelli, së fundi në skenë ka dalë edhe ai i francezit Franck Ribery, që është në sezonin e dytë dhe të fundit të kontratës me klubin e Fiorentinës në Serinë A.

Francezi po bën një paraqitje mjaft të mirë në fushë, pavarësisht thuajse 38 viteve mbi supe dhe Galliani po shfrytëzon marrëdhëniet e mira mes tij e Boateng, për ta afruar te Monza në fund të sezonit.

Për momentin duket më shumë një ide merkatoje, por mediat në Itali janë të bindura se Galliani e Ribery kanë nisur kontaktet e para për të kompletuar transferimin e francezit në klubin e Monzës sezonin e ardhshëm.