Me vetëm një fitore në 5 javët e fundit në kampionat, Manchester United ka mbetur plot 7 pikë mbrapa City-t kryesues dhe ka dalë përfundimisht nga lufta për titullin kampion, pasi “citizens’ kanë edhe një ndeshje për të rikuperuar dhe mund ta thellojnë më tej diferencën.

Ish mbrojtësi legjendar i “djajve të kuq” dhe përfaqësueses angleze, Gary Neville ka deklaruar se qendra e mbrojtjes është “thembra e Akilit” për Manchester United këtë sezon dhe kjo ka penalizuar jo pak ecurinë e skuadrës së Solskjaer.

Në analizë e tij për “Monday Football Night”, Neville deklaroi se Victor Lindelof dhe Harry Maguire janë futbollistë shumë të ngjashëm dhe e kanë të pamundur të formojnë partneritet me njëri-tjetrin, pasi qëndrojnë të dy shumë mbrapa dhe penalizojnë skuadrën.

“Unë mendoj se Lindelof është një mbrojtës shumë i mirë, që lexon mirë situatat e lojës dhe kupton se çfarë duhet të bëjë. Ai do të shkëlqente padiskutim, nëse do të luante përkrah një mbrojtësi si Van Dijk, apo si Rio Ferdinand. Megjithatë klubi harxhoi “një thes me para” për t’i sjellë Maguire, një lojtar shumë i ngjashëm me suedezin për nga karakteristikat. Të dy janë pozicionalë dhe qëndrojnë shumë mbrapa, por skuadra ka nevojë për dikë që të ngjitet më lart e të përballet me sulmuesin kundërshtar në fushë të hapur, jo vetëm kur ai i vjen në zonë. Për momentin problemi i Lindelof quhet Maguire dhe anasjelltas. Të dy nuk mund të formojnë një partneritet solid në prapavijë dhe kanë penalizuar jo pak skuadrën”, tha Neville.