Pas humbjes nga Sheffield United dhe barazimit me Arsenalin, skuadra e Manchester Unitedit është kthyer te fitorja në Premier Ligë.

Në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të në kampionatin anglez, skuadra e Ole Gunnar Solskjaer ka shënuar fitore të thellë ndaj Southamptonit.

Ndeshja e zhvilluar sonte në ‘Old Trafford’ ka përfunduar me rezultatin 9-0.

Anthony Martial shënoi dy gola në këtë ndeshje, teksa nga një shënuan Aaron Wan-Bissaka, Marcus Rashford, Jan Bednarek (autogol), Edinson Cavani, Scott McTominay, Bruno Fernandes dhe Daniel James.

Vlen të theksohet se mysafirët nga minuta e dytë ishin me një futbollist më pak, pas përjashtimit të Alexandre Jankewitz, kurse në minutën e 86-të u ndëshkua edhe Bednarek.

Manchester United tani ka 44 pikë dhe renditet në pozitën e dytë me pikë të njëjta me liderin, Manchester City, por me këta të fundit që kanë një ndeshje më pak.

Kurse, Southamptoni mbetet me 29 pikë dhe zë pozitën e 12-të në tabelë.