RB Leipzig ka bërë detyrën në shtëpi kundër Augsburg, duke triumfuar me rezultatin e ngushtë 2-1. “Demat” kështu mbajnë në presion kampionët e Bayern Munich, duke iu afruar për momentin me katër pikë (bavarezët kanë një ndeshje më pak) dhe duke rritur diferencën me ndjekësit.
Ndeshja u zhbllokua me anë të një penalltie, që e ktheu në gol spanjolli Dani Olmo pas 38 minutash lojë. RB Leipzig shfrytëzoi momentin e mirë dhe për pesë minuta gjeti edhe golin e dytë, këtë herë përmes Nkunku.
Ky i fundit, pas pasimit të Polsen nuk gaboi dhe e çoi topin në rrjetë. 45 minutat e para u mbyllën me rezultatin 2-0 dhe në të dytën RB Leipzig iu afrua edhe golit të tretë, por pa sukses. Në minutën e 77-të Augsburg fitoi një penallti.
Daniel Caligiuri u tregua i saktë dhe e mposhti portierin vendas, duke i ngushtuar shifrat në 2-1. Gjithsesi Leipzig nuk mund ta linte fitoren t’i ikte nga duart dhe e ruajti epërsinë, duke marrë tre pikët që i çojnë ata në kuotën e 44 pikëve.