Arben Simitçiu, trajneri i ri i kombëtares së Kosovës në futsall është gati për aventurën e tij të re.
Me 29 janar, Simitçiu u emërua trajneri i ri i kombëtares në futsall dhe tashmë ka filluar punën për të ngritur nivelin e futsallit në vendin tonë.
Ai ka një përvojë të jashtëzakonshme, pasi ka trajnuar me shumë sukses ekipet e Benagos dhe Sparta Pragës.
Simitçiu potencoi se është ndenjë fantastike të bëhet trajner i kombëtares së Kosovës në futsall.
“Atmosfera, ndjenjat janë në përgjithësi fantastike. Jam shumë i lumtur dhe krenar se ardhja ime ka qenë e pakontestume nga të gjitha anët e Kosovës. Për mua është një përgjegjësi e madhe, sepse me ardhjen time janë edhe pritjet e mëdha dhe mu për këtë e kam pranuar këtë punë që të arrihen këto pritje”, tha fillimisht Simitçiu për ‘GazetaBlic Sport’.
Simitçiu theksoi se i njeh lojtarët mirë dhe beson në talentin e tyre.
“Lojtarët i njoh shumë mirë dhe me plot besim mund të them se Kosova eshtë nje vend me lojtarë të talentuar – por te pagdhendur për një kualitet shumë të lartë. E tash kjo gdhendje do të më takoj mua dhe besoj se bashkëpunimi me djemtë e kombëtarës ka me qenë fantastik. Jam i bindur se ngritja e seleksionit kosovar në futsall do të jetë e madhe”, vazhdoi ai.
Në fund, trajneri zbuloi se ka projekt të madh me kombëtaren kosovare në futsall dhe beson se “Dardanët” do të bëhen “arrë” e fortë për çdo kundërshtar.
“Synimet i kam në projektin tím të ndara në disa etapa. Së pari të njihemi mirë nga afër, t’i shpjegojë dhe lojtarët të kuptojnë filozofinë time të lojës së futsallit dhe pritjet e mija nga ata. Pastaj duhet t’ia nisim ta përfaqesojmë Kosovën me një stil të mirë të lojës, ku do të dominojë përgjegjësia e çdo lojtarit ndaj kolektivit, ekipit të përbashkët, mos të përsëriten gabimet që i kanë bërë në lojërat e mëparshme si dhe ngritja e nivelit në aspekt taktiko-teknik qe na ka mundu më së shumti historikisht gjatë lojërave të kualifikimeve. Synimet i kemi të mëdha, por edhe reale – sipas kualitetetit që kemi. Vetem i lus të gjithë për durim dhe kurajo, sepse po vjen një kombëtare e Kosovës ne futsall, e cila do t’i hapë shumë telashe edhe ekipeve më të mëdha botërore”, përfundoi trajneri i ri i kombëtares së futsallit, Arben Simitçiu.