Futbollisti i Osijekut, Eros Grezda është gjobitur nga një gjykatë kroate për sulmin e kryer ndaj një lojtari kundërshtar, Antonio Mirko Çolak, që në atë kohë ishte pjesë e Rijekës.

Pas ndeshjes në mes të Rijekës dhe Osijekut, vitin e kaluar, Grezda kishte goditur me shuplakë në fytyrë Antonio Mirko Çolak, tani pjesë e PAOK-un.

Grezda  është shpallur fajtor për shkeljen e Nenit 13 të Ligjit për Kundërvajtje, përkatësisht për prishje të rendit publik.

Ai është gjobitur me 769,20 kuna (101.65 euro). Sipas aktakuzës, incidenti ndodhi pas ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës së Kroacisë, më 31 maj të vitit të kaluar.

Grezda i revoltuar për humbje të ndeshjes, ka thirrur Çolakun dhe pasi i është afruar e ka goditur me shuplakë.

Çolak është larguar dhe Grezda ka vazhduar për në autobus. Grezda do të mbulojë edhe shpenzimet e gjykatës

Në mbrojtjen e tij Grezda ka shkruar se nuk ndihet fajtor. Futbollisti nga Kosova ka thënë se ishte i irrituar nga sjellja e Çolakut dhe fyerjet e tij, ndërsa i ka kërkuar falje këtij futbollisti edhe një herë.

Incidenti ishte incizuar nga kamerat dhe kishte bërë bujë në Kroaci.