Atletico Madridi dhe Real Madridi i kanë ndarë pikët në derbin që u zhvillua në kuadër të javës së 26-të në La Liga, pasi përfundoi 1-1.

Pas vetëm 15 minutash lojë, Los Cholchoneros kaluan në epërsi me anë të Luis Suarezit, që u asistua nga Marcos Llorente.

Më pas kishte një lojë me dorë nga një lojtarë i Atleticos në zonën e tyre, por VAR-i vendosi se nuk ishte penallti për Los Blancos.

Në 45 minutat e dytë, skuadra që drejtohet nga Zinedine Zidane, ishte më kërkuese dhe ia arriti qëllimit.

Duke krijuar disa shanse të mira me anë të Karim Benzemas, Jan Oblak ishte në nivelin më të lartë të detyrës.

Por, në minutën e 88-të, slloveni u mposht pikërisht nga sulmuesi francez që shënoi një gol të bukur.

Kështu, të dy skuadrat nga qyteti i Madridit i ndanë pikët në derbin që u luajt në stadiumin Wanda Metropolitano.

Pas javës së 26-të, Atletico Madridi vazhdon të jetë lider me 59 pikë, derisa Real Madridi është në të tretin me pesë sosh më pak.