Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, nuk ka pranuar të flasë për situatën politike mes Spanjës e Kosovës.

Selektori zviceran i “Dardanëve” është paraqitur në konferencë për shtyp nga Spanja, një ditë para ndeshjes ndaj përfaqësueses së këtij shteti..

“Unë nuk flas për situata politike. Unë jam trajner futbolli dhe bëj punën time. Unë duhet ta përgatiti ekipin që të paraqitet sa më mirë. Kosova dëshiron të luaj futboll sulmues, por kundër Spanjës nuk do të jetë e lehtë. Duhet ta kemi të qartë që gjatë lojës ta mbrojmë portën tonë dhe të kërkojmë golin përmes rasteve”.

“Nuk mund të jemi të kënaqur me trajtimin nga disa gazeta spanjolle. Natyrisht, se kjo mund të ndikojë te futbollistët. Por, motivimi më i madh i lojtarëve është se do të luajnë ndaj një skuadre të madhe dhe ata duhet të fokusohen në ndeshje” – ka deklaruar Challandes.

Kujtojmë se ndeshja mes Spanjës dhe Kosovës zhvillohet nesër (e mërkurë) nga ora 20:45 në “La Cartuja” të Sevillas. Kjo ndeshje është e vlefshme për kualifikime në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.