Njëri nga gazetarët e gazetës së njohur spanjolle “AS” është detyruar t’i referohet Bernard Challandesit si trajner i Kosovës.

Përzgjedhësi i Kosovës nga ora 17:30 është paraqitur në konferencë për shtyp nga Spanja, një ditë para ndeshjes me përfaqësuesen e këtij shteti.

Ruben Ares nga gazeta “AS” i bëri një pytje Challandesit rreth lojës së Spanjës dhe Luis Enriques, por kur nga menaxheri, Bajram Shala, u pyet se kujt po ia drejtonte këtë pytje, ai hezitoi disa herë të thotë se pytja është për trajnerin e Kosovës, por në fund ia doli dhe pastaj mori një përgjigje nga udhëheqësi i “Dardanëve”.

Kujtojmë se mediet spanjolle tash e disa ditë po publikojnë lajme skandaloze për Kosovën, të cilës nuk iu referohen as si shtet.

Megjithatë, ndeshja mes Spanjës dhe Kosovës pritet të zhvillohet sipas rregullave, ku spanjollët do të njoftohen edhe më mirë me flamurin dhe himnin tonë shtetëror.

Ndryshe, ndeshja mes Spanjës dhe Kosovës zhvillohet nesër nga ora 20:45 në “La Cartuja” të Sevillës. Kjo ndeshje është e vlefshme për kualifikime në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.