Ylli i Paris Saint-Germain, Ander Herrera ka kundërshtuar krijimin e Superligës Evropiane. Mesfushori spanjoll është futbollisti i parë aktiv që ka reaguar kundër Superligës, duke ngritur zërin e tij në mbrojtje të kulturës së futbollit evropian, shkruan Insporti.com.

Herrera, ish mesfushor i Manchester United, nëpërmjet një cicërime në Twitter ka kundërshtuar krjimin e Superligës.

“Unë jam dashuruar me futbollin e tifozëve, me ëndrrën që skuadra e zemrës time të garojë kundër skuadrave më të mira. Nëse kjo Superligë Evropiane krijohet, atëherë këto ëndrra kanë përfunduar. Unë e dua futbollin dhe nuk mund të hesht, unë besoj në një Ligë të Kampionëve të avancuar, por jo në atë që të pasurit të vjedhin atë që njerëzit e kanë krijuar, e që është sporti më i bukur në botë”, thuhet në shkrimin e mesfushorit 31 vjeçar.

Kjo cicërimë e tij është bërë virale, duke u shpërndarë nga gazetarë e ish futbollistë të ndryshëm.

Të dielën mbrëma futbolli evropian ka ndryshuar përgjithmonë. Me iniciativën për krijimin e Superligës Evropiane nga 12 klubet më të fuqishme evropiane, garat evropiane të organizuara nga UEFA ka marrë një goditje të fortë.

Mbrëmë është publikuar edhe dokumenti zyrtar i cili shpjegon formatin e Superligës dhe 12 klubet pjesëmarrëse.

Liverpool, Manchester City, Arsenal, Chelsea, Tottenham, FC Barcelona, Real Madrid, Atlético Madrid, Inter Milan, AC Milan dhe Juventus, janë klubet të cilat kanë krijuar Superligën Evropiane.

Megjithatë, krijimi i kësaj Superlige Evropiane është kundërshtuar njëzëri nga FIFA, UEFA dhe ligat e mëdha evropiane, duke i kërcënuar me përjashtim nga të gjitha garat.

Madje, UEFA ka njoftuar se të gjithë futbollistët të cilët marrin pjesë në këtë ligë nuk do të munden të përfaqësojnë më vendin e tyre.