Përfshirja e gjashtë klubeve të mëdha të Premier Ligës Angleze në Superligën Evropiane, ka nxitur reagime të shumta kundër tyre. Klubi nga qyteti i Liverpoolit, Everton ka lëshuar një komunikatë për shtyp kundër Superligës Evropiane dhe ka kritikuar gjashtë klubet angleze.

Bordi i Evertonit nuk është kursyer ndaj gjashtë klubeve të mëdha angleze duke i akuzuar për lakmi të parave dhe se kanë menduar vetëm për vete.

Po ashtu në këtë komunikatë thuhet se janë pro reagimeve që ka marrë Superliga Evropiane dhe se duhet të ndalohet para se të jetësohet, e që do të çrregullonte piramidën e futbollit që e njohim tani.

Liverpool, Manchester United, Manchester City, Arsenal, Chelsea dhe Tottenham janë pjesëmarrëse në Superligën Evropiane.

Këto klube i janë bashkuar Juventusit, Real Madridit, Barcelonës, Interit, Milanit dhe Atletico Madridit në iniciativën për të krijuar një ligë të mbyllur që do të sillte përfitime të mëdha, më shumë se sa ju jep UEFA nëpërmjet garave si Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës.

UEFA dhe FIFA e kanë kundërshtuar një veprim të tillë dhe gjatë kësaj jave do të marrin vendim për t’i përjashtuar nga garat të gjitha këto klube.